Mes veprave të sekuestruara, një numër i madh ikonash dhe veprash murale të cilat mbaheshin në 3 banesa, në Kamëz, Bathore dhe Tiranë
Tiranë, 9 tetor 2013 – Policia e Tiranës ka bllokuar mbrëmë një rrjet të gjerë trafiku ndërkombëtar veprash arti të vjedhura. Burimet policore bënë të ditur se, nga strukturat e antikrimit të komisariatit nr. 3 dhe ato të Drejtorisë së Policisë së Tiranës është arrestuar i dyshuari Arben Spaho, 39 vjeç, i lindur në Pogradec dhe banues në Kamëz, pasi dyshohet se e ka kthyer banesën në një bazë magazinimi, ku janë gjetur vepra arti të vjedhura, si dhe Gjergji Vani Thimo, 52 vjeç lindur në Korçë, banues në Tiranë.
Arben Spaho, i arrestuari i parë mësohet të ketë edhe precedentë penal, pasi ai është rreshtuar disa herë nga policia në vite të ndryshme për vjedhje, kryesisht të veprave të artit. Spaho është arrestuar në vitin 2008 dhe 2010 gjithashtu edhe në vitin 2013. Në 2010-tën Spaho ka vjedhur edhe kishën e ‘Shën Mërisë’ në fshatin Voskopojë të Korçës.
Sipas të dhënave policore, gjatë kontrollit të banesës janë gjetur piktura dhe ikona, madje edhe vepra murale, që mendohet se janë vjedhur në Kishat e Korçës dhe të Pogradecit.
Në banesën e Thimos, koleksionist që prej vitit 1990, u gjetën mbi 100 ikona dhe vepra arti të vjedhura. Veprat e sekuestruara janë dërguar në komisariatin numër 1 dhe të mërkurën do të dërgohen për ekzaminim në Policinë e Tiranës.
Sipas policisë, veprat e artit të vjedhura shiteshin jashtë vendit tek koleksionistë të huaj, ndërsa mësohet se në fillim është zbuluar njëra prej bazave të tij në një lagje të Tiranës, çka ka pasuar me arrestimin e dy të dyshuarve dhe shpalljen në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Ata dyshohet se janë të implikuar edhe në vjedhjen e pikturave të Vangjush Mios.
Operacioni për zbulimin e kësaj baze të parë, ku janë sekuestruar një sërë veprash arti, është zhvilluar dje në orët e pasdites në zonën e “Don Boskos”, ndërkohë që ka vijuar deri në orët e vona të natës, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.