in

Tiranë, Shkodër dhe Korçë: nxënësit me diploma të certifikuara nga autoritetet italiane

Nxënësit e gjimnazeve në Tiranë,  Shkodër dhe Korçë do të kenë klasa të seksioneve bilinguale shqip-italisht, të cilat do të ofrojnë diploma të certifikuara nga autoritetet italiane dhe njohje të provimit të gjuhës për studentët e huaj, që dëshirojnë të studiojnë në Itali.

Sipas ATSh-së, kjo mundësi është sanksionuar të enjten më 7 korrik, me Marrëveshjen Administrative për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane, mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.

Italia gjatë periudhës 20 vjeçare të tranzicionit ka mbështetur Shqipërinë në mënyrë sistematike për zhvillimin e arsimit përmes projekteve dhe programeve bilaterale.

Referuar të dhënave të BE-së, 50% e studentëve të huaj që studiojnë në Itali janë shtetas shqiptarë, një tregues i konsiderueshëm për kontributin e Italisë në formimin akademiko- shkencor të të rinjve shqiptarë.

Seksionet dygjuhëshe u hapën për herë të parë në Shqipëri në vitin 1998 në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë dhe nënkuptojnë mësimin e të gjitha lëndëve në dy gjuhë.

Një nga avantazhet e nxënësve të diplomuar në këto seksione dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në vendet përkatëse, është përjashtimi nga provimi i gjuhës së huaj dhe procedura lehtësuese për regjistrimin në universitetet e huaja.

Në Shqipëri aktualisht ekzistojnë rreth tetë seksione dygjuhëshe, tre nga të cilat janë seksione dygjuhëshe shqip-italisht në Tiranë, në Korçë dhe Shkodër, katër seksione dygjuhëshe shqip-frëngjisht, në Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Shkodër. Ndërsa nga viti 2007 funksionon një seksion në gjuhën gjermane në Tiranë.

Ministri Tafaj tha se “deri tani ky projekt ka funksionuar për shkollat e gjuhëve të huaja, ndërsa me përtëritjen e memorandumit, projekti shtrihet në tre gjimnazet më të mira të vendit, të cilat do të përfitojnë rritje të mësimdhënies, kualifikimin profesional të mësuesve dhe do të kemi një rritje të numrit të nxënësve që mësojnë italisht”.

Ambasdori italian në vendin tonë, Saba D’Elia, tha se rreth 50 mijë nxënës shqiptarë mësojnë gjuhën italiane nëpërmjet lëndëve apo librave që atyre u ofrohen në shkollat shqiptare, ndërkohë që numërohen rreth 20 mijë studentë shqiptarë që studiojnë në universitetet italiane. Ky projekt i shkollave bilinguale tashmë në Tiranë, Shkodër dhe Korçë më pas do të shtrihet edhe në qytete të tjera.

Të vish në Itali kushton më shtrenjtë

Bogdani. Nga Seria A në kategori të tretë?