in

Vatra e ShBA-së do të bashkëpunojë me Kuvendin për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë

Kryeparlamentarja Topalli dhe Gjon Buçaj, kryetar i Vatrës kanë rënë dakord që shoqata 100-vjeçare të bëhet pjesë e aktiviteteve që do të organizohen me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipëri

Tiranë, 24 qershor 2011 – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot drejtues të Federatës shqiptare në SHBA “Vatra”: kryetarin e saj, Gjon Buçaj, botuesin e gazetës ‘Dielli’, Dalip Greca, si dhe anëtarin e këshillit të kësaj shoqate, Bashkim Musabelliu. 

Sipas ATSh-së, në qendër të bisedës kanë qenë përgatitjet e festimeve për celebrimin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, dhe kryeparlamentarja Topalli informoi përfaqësuesit e Vatrës se “me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm pune që do të evidentojë projektet më të mira për ta festuar këtë ditë në mënyrën më dinjitoze”. 

Kryetari Buçaj, duke theksuar se ky kremtim historik përkon edhe me 100-vjetorin e themelimit të Federatës “Vatra”, shprehu dëshirën që edhe kjo organizatë të bëhet pjesë e aktiviteteve që do të organizohen me këtë rast. Duke vlerësuar këtë iniciativë, kryeparlamentarja ftoi përfaqësuesit e “Vatrës” që të bashkëpunojnë me Kuvendin për të bërë të mundur ekspozimin e dokumenteve autentike dhe origjinale të themelimit të kësaj shoqate.

Ajo tha se si pjesë e celebrimit të kësaj dite, Kuvendi ka nisur gjithashtu punën duke skanuar të gjitha bisedimet parlamentare që nga viti 1912, duke mundësuar kështu një kolanë të plotë botimesh me të gjitha fjalimet, si dhe me figurat e shquara që kanë qenë firmëtarë të aktit të shpalljes së pavarësisë, por që emrat e tyre ishin fshirë gjatë periudhës së regjimit komunist.

A duhen afruar edhe shqiptarët emigrantë në vendet e tjera, si Greqi e Itali, të jenë pjesëmarrës aktivë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë? Si mund t’i përgjigjeshin shqiptarët e Italisë, shoqata, artistë, sportistë, sipërmarrës, një ftese të tillë? Jepni mendimin tuaj në komentet e mëposhtme.

 

Ndalohet në portin e Durrësit i dënuari me 16 vjet burg për prostitucion

Kthim në vendin e shqiponjave, në kërkim të eshtrave të babait