Gjithçka në portalin e ministrisë së Brendshme. Nisja e kërkesave nga 27 janari deri më 17 mars
Dekreti i flukseve i miratuar nga qeveria italiane më 21 dhjetor 2021 e që do t’u hapë dyert e Italisë mijëra punonjësve të huaj për punë sezonale e josezonale do të botohet në Gazetën Zyrtare më 17 janar 2022.
Më saktësisht, dekreti parashikon ardhje për punë të varur, të pavarur, sezonale e konvertime lejeqëndrimesh për maksimumi 69.700 të huaj. 42 mijë nga këto kuota u rezervohen ardhjeve për punë sezonale dhe 27 mijë ardhjeve dhe konvertimeve për punë të varur (josezonale) në sektorët e autotransportit, të ndërtimit dhe turizmit e për punë autonome. Mund të përfitojnë nga kuotat e flukseve, mes të tjerësh, edhe shtetas shqiptarë, kosovarë, maqedonas.
Paraqitja e kërkesave
Siç bëhet tashmë prej vitesh, kërkesat do të përpilohen e përcillen online në Sportelin Unik të Imigracionit (SUI) të portalit ministrisë së Brendshme italiane, https://nullaostalavoro.dlci.interno.it. Aty, nga ora 9:00 e ditës së sotme (12 janar 2022), mund të nisë përpilimi dhe ruajtja e formularëve që do të nisen gjithnjë online duke filluar nga datat e mëposhtme:
– nga ora 9:00 e 27 janarit 2022 për punonjësit josezonalë, të pavarurit dhe konvertimet;
– nga ora 9:00 e 1 shkurtit 2022 për punonjësit sezonalë.
Të gjitha llojet e kërkesave do të mund të paraqiten deri më 17 mars 2022 dhe do të shqyrtohen në rendin kronologjik të paraqitjes.
Duhet mbajtur parasysh që ashtu si vitet e fundit në sistemin https://nullaostalavoro.dlci.interno.it mund të hyhet vetëm përmes kodit identifikues SPID. Kjo do të thotë që para se të niset procedura për flukset, punëdhëniësi (në rastet kur kërkohet kuotë për punë të varur sezonale e jo sezonale) apo i huaji i interesuar (në rastin e konvertimeve) duhet të jenë të pajisur me kodin identifikues SPID – Sistem Publik i Identitetit Digjital që është kod identifikues digjital që lejon hyrjen në të gjitha shërbimet online të Administratës Publike italiane qoftë nga kompjuter, nga tablet apo celular. Ky kod mund të kërkohet në adresën https://www.spid.gov.it/.
Lexo edhe: Mbërrin dekreti i flukseve. 70 mijë kuota për punonjës të huaj sezonalë e jo sezonalë