Shkodër. Temperaturat e ulëta krijojnë shtresa akulli e vështirësojnë qarkullimin
Qyteti i Shkodrës i përfshirë dy herë në harkun e një jave nga reshjet e dëborës, vazhdon të bashkëjetojë me bardhësinë e dëborës. Që prej orëve të mbrëmjes së të hënës, në qytet nuk ka reshje bore, por temperaturat e ulëta kanë krijuar shtresa të konsiderueshme akulli duke krijuar probleme, qoftë në qarkullimin e automjeteve, por edhe të këmbësorëve.
Fadromat e bashkisë vazhdojnë të jenë të pranishme në akset rrugore kryesore, ndërkohë grupe të tjera të punonjësve të sektorit të shërbimeve në bashki, si dhe të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit janë përqendruar në pastrimin trotuareve për të bërë të mundur normalitetin e qarkullimit të këmbësorëve.
Megjithë punën e mirë që po bëhet në akset rrugore kryesore të qytetit, për momentin probleme mbeten disa prej rrugëve dytësore, ku trashësia e dëborës e shndërruar nga ulja e temperaturave në ngrica, ka krijuar vështirësi jo të vogla për komunitetin e këtyre lagjeve në komunikimin me qytetin.
Drejtori i sektorit të shërbimeve komunale pranë bashkisë Shkodër, Alfred Luleta, tha për ATSH-në se, “është planifikuar që ditën e sotme të ndërhyhet me mjetet e duhura të specializuara për të pastruar të gjitha akset rrugore dytësore të qytetit”.
Sipas tij, strukturat e shërbimit komunal në bashkinë Shkodër të mbështetura edhe nga firmat private të kontraktuara për situatën në fjalë, janë udhëzuar të jenë në gatishmëri të plotë që në rast të rifillimit të reshjeve, të ndërhyhet menjëherë në akset rrugore, pa e lënë dëborën të krijojë shtresat e saj mbi asfalt.