Punonjësit e varur e të pavarur, sektorët me përqëndrimin më të madh të shqiptarëve, punësimet e reja e kompensimet për pezullimin, reduktimin apo humbjen e punës, kualifikimi dhe rrogat. Çfarë thotë raporti i ministrisë së Punës
“Falë vjetërsisë së komunitetit, punonjësit shqiptarë në Itali kanë hedhur tashmë rrënjë në sektorë strategjikë të ekonomisë italiane”. E pohon raporti i fundit i ministrisë së Punës mbi komunitetin shqiptar.
Sipas raportit, shqiptarët janë të specializuar veçanërisht në ndërtim ku punojnë 28% e të gjithë të punësuarve shqiptarë (kundrejt 8,9% e të gjithë jokomunitarëve) dhe në industri ku është përqendruar 20% e krahut të punës shqiptar. Të dy sektorët e mësipërm janë ndër më të prekurit nga kriza e viteve të fundit e për rrjedhojë shqiptarët e kanë vuajtur në kurriz të tyre më shumë se të tjerë. Në të kundërt spikat përfshirja e ulët e shqiptarëve në sektorë si shërbimet publike, sociale dhe ndaj personit (vetëm 11,5%), kur këta sektorë rezultojnë të jenë kryesorët qoftë për të gjithë imigrantët e Evropës qendrore e lindore (48%), qoftë për të gjithë imigrantët jokomunitarë në përgjithësi (31,3%).
Përqendrimi në sektorët e ndërtimit dhe industrisë si edhe kriza ekonomike ka pasur pasoja të rëna mbi komunitetin: papunësia ka kaluar nga 18,8% e vitit 2012 në 22,7% në 2014. Të papunët shqiptarë rezultojnë të jenë mëse 60 mijë dhe përqindja e papunësisë është më e lartë se mesatarja e jokomunitarëve (22,7% kundrejt 17,4%). Për të bërë më të kuptueshme të dhënat, po të konsiderojmë 100 shqiptarë në Itali në moshë pune (15.64 vjeç), 51 prej tyre janë në punë, 34 edhe pse e kërkojnë një vend pune nuk e kanë, ndërsa 15 të tjerë as që kërkojnë të punësohen gjëkundi.