Presidenti Nishani dekoron Coccianten me titullin “Naim Frashëri”
Pas Skënderbeut dhënë vetëm pak javë më parë Al Banos, të shtunën më 8 qershor, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi kantautorit italian Riccardo Cocciante titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Si një artist mbarëbotëror, mik i shquar i Shqipërisë, i cili ka kontribuar në promovimin dhe lartësimin e talenteve dhe vlerave të tyre shpirtërore”.
Cocciante u shpreh i nderuar për marrjen e këtij titulli, “Ky titull përfaqëson shumë për mua. Gjithçka që kam bërë në jetë e kam bërë vetëm me ndershmëri, me thjeshtësi dhe duke u përpjekur t’u them disa gjëra njerëzve. Dhe kur shikoj sa shumë njerëz e kanë kuptuar këtë, më emocionon pa masë”.
“Ajo që mund të them është se muzika ka qenë gjithnjë për mua gjuha primare, gjuha që vjen më parë se fjalët”, u shpreh i emocionuar Cocciante.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë fjalës së tij u shpreh mirënjohës ndaj kantautorit italian, jo vetëm për mbështetjen ofruar Elhaida Danit, duke qenë mentori i saj, por edhe për muzikën e mrekullueshme dhe vlerat e Cocciantës si artist.