Berisha: Atë mbrëmje ke emocionuar gjithë shqiptarët me fitoren tënde
Edhe Berisha priti më 8 qershor heronjtë e ditës, Elhaida Danin dhe Riccardo Coccianten.
Ai u uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për këtë takim, falënderoi kantautorin italian Riccardo Cocciante për mbështetjen e madhe profesionale që i dha Elhaidës, sipas të cilit ishte vendimtare për fitoren e saj: “Unë ju falënderoj shumë për ndihmën tuaj në këtë sukses të Elhaidës, ndihmë pa të cilën nuk do të ishte i mundur ky sukses i madh”. Kantautori italian, Riccardo Cocciante, tha se ky ishte një sukses vërtetë i madh i Elhaidës dhe se me punë ajo do të vazhdojë të ecë gradualisht drejt një karriere të suksesshme.
Duke i përsëritur urimet e tij më të përzemërta Elhaidës për suksesin e arritur, Kryeministri Berisha tha se atë mbrëmje shqiptarët kudo kanë qenë të elektrizuar nga fitorja e saj. Shqiptarët, tha Kryeministri, “e kanë pritur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm suksesin tënd, sepse të fitosh në atdheun e këngës dhe muzikës, siç është Italia, është diçka e madhe dhe kjo e bën fitoren shumë më të madhe”. “Të uroj një karrierë që ti Elhaida e meriton, një karrierë brilante”, tha më tej Kryeministri Berisha.
Nga ana e saj, Elhaida i shprehu Kryeministrit Berisha falënderime dhe mirënjohje për këtë pritje, por shprehu emocionet e saj edhe për të gjitha nderimet që po i bëhen në Tiranë. “Unë ju falënderoj shumë për pritjen tuaj dhe gjithçka që ju po bëni për mua edhe për mjeshtrin që më ka ndihmuar, Riccardo Cocciante. Nuk kam fjalë t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia”, tha ajo.